Lajmet
A huge collection of 3400+ free website templates JAR theme com WP themes and more at the biggest community-driven free web design site
Give your website a premium touchup with these free WordPress themes using responsive design, seo friendly designs www.bigtheme.net/wordpress

Territori

ZADRIMA

     Zadrima shtrihet në pjesën  veri-perëndimore të vendit tonë. Sipërfaqja e saj është 349 km2 dhe popullsia rreth  60 000 banorë. Eshtë e vendosur në dy qarqe: në atë të Shkodrës dhe të Lezhës, me 40 fshatra të shpërndara në pesë komuna:  në Bashkinë Vaudejës dhe Komunat, Bushat,Hajmel,Dajç dhe Blinisht.

Zadrima bën pjesë në Ultesirën Perëndimore, në pjesën veriore të saj dhe ka  një reliev përgjithësisht fushor të rrethuar  në formë vezore ,duke filluar nga mali i Shën Markut, Shitës, dhe i Kreshtës nga lindja, si dhe Malet më të ultë të Kakarriqit të Bushatit dhe Beltojës nga perëndimi . Fusha përmes saj karekterizohet nga ngrihtje të lehta dhe të buta kodrinore, si ato të Pistullit,Mabës,Dajçit,Kodhelit ,Fishtës dhe Troshanit.

Zadrimën e përshkojnë dy lumenj: lumi Drin i cili njihet edhe si kufiri i tij verior dhe lumi Gjadër,te cilet të bashkuar rrjedhin drejt Lezhes.

Të dhënat janë të lashta sa edhe vetë historia e njerëzimit.Këto vërtetohen nga shumë dokumenta  dhe objekte të çmuara arkeologjike, të njohura edhe në botën shkencore, si kultura e Gajtanit dhe e Komanit.

Në vitin 394 p.l.k. Zadrima ishte nën sundimin bizantin.Zadrimoret shquhen jo vetem si bujq dhe blegetorë të përmendur, por edhe si atdhetarë dhe luftëtarë shumë te zot. Danja, Sapa, Blinishti, apo Sarda jane vende fushëbetejash të njohura në histori .  Senati i Venedikut në 1399 aprovoi me unanimitet, te lidhte miqësi të ngushtë me krahinën e Zadrimës që ishte aq e begatë.

Gjatë periudhës së Skendërbeut shumë takime të princave shqiptarë bëheshin në kullën e Zadrimës,në Blinisht.Edhe gjatë viteve të pushtimit ottomanZadrima ka mbajtur te ndezur zjarrin e levizjeve për liri. Para shpalljes se pavarësisë, në malet përreth, vepronin çetat kryengritëse. Gjatë  luftës nacional-çlirimtare Zadrima ishte në krah të luftës për çlirim dhe dha një kontribut të çmuar.Edhe gjatë viteve të diktaturës perseri Zadrima punoi per lirinë dhe priste agimin e saj.

Ne Zadrimë kalonte rruga e kalldrëmtë si  Lezhë –Blinisht-Sapë-Naraç-Danjë qe arrinte deri në Shkodër dhe vazhdonte per Zetë.Në Danjë ajo degëzohej dhe vazhdonte per Sardë dhe Kosovë.

Kalaja e Sardës,e Danjës,e Sapës sado të dëmtuara nga luftrat dhe koha persri dëshmojne për një zone historikisht të zhvilluar,me qytetërim të herëshëm dhe të organizuar në mbrojtje.

Zadrima, perveç historisë së lavdishme, ka edhe nje trashigimi kulturore të pasur. Në Blinisht është hapur edhe shkolla e parë shqipe1639. Në Zadrimë kanë lindur figura të shquara të historisë dhe të letërsisë me të cilët nderohet e gjithë Shqipëria>

Princi i Danjës dhe i Sapës Lekë Zaharia,bashkluftëtar dhe krah i fortë mbështetës i Skenderbeut;

Gjon Gazulli (1400-1465), humanist,diplomat i Skenderbeut dhe ambasador i tij ne Raguzë,matematikant dhe astronom, ndër më të shquarit e kohës;

gjuhëtari  dhe historiani Frang Bardhi (1606-1643),autor i të parit fjalor latinisht shqip, fjalor qe ka rreth 5640 fjalë shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë;

Gjergj Fishta, një ndër autorët më të mëdhenj të letrave shpipe, u lind ne Fishtë. Ishte shkrimtar, perkthyes dhe autor i disa veprave që njihen sot në mbarë botën.

Poeti i madh Ndre Mjeda,ishte nga Mjeda dhe veprat e tia më madhore i shkroi në Zadrimë. Figurë e shquar ishte edhe Pjetër Zarishti  që është quajtur si “urë kalimi” nga letersia e vjetër shqipe ne letersine e re te Rilindjes Kombetare.

Dom Jak Zekaj poet,shkrimtar, piktor;

Vellezerit Mati dhe Kel Kodheli pionerët e fotografisë shqiptare, dhe shume figura  të tjera te lindur në Zadrimë, kanë dhënë kontibut në kulturën e vendit tonë.

Zadrimorët jane punetorë të mirë dhe mikpritës. Karakteristike per Zadrimen janë edhe shtëpiat  (kullat) dykatëshe, që spikasin  nga tipologjia e veçantë e ndertimit të tyre, me mur guri,  e dikur edhe me frëngji,  si kështjella. Veshjet  zadrimore janë ndër më të bukurat në vendin tonë, ku dominojne ngjyrat e gjalla dhe optimiste,e kuqja e verdha  dhe jeshilja. Këmishat harkate të nuseve, të punuara me shumë finesë, me mëndafsh të bardhë dhe të verdhë ,me qazat e qëndisura  me zogj  dhe figura të kombinuara rrombike, me mëndafsh, kanë shumë fantazi  dhe  art. Jeleket  me sumbulla ,boçet me shumë kolorit, fodullet e punuara artistikisht me serm dhe ar ,gjerdani dhe kurora me florinjë ,unazat,rizat, thuajse transparente me atë punim aq artistik, flasin për shpirtin krijues dhe finesë të grave dhe vajzave artizane zadrimore.Veshjet e burrave janë më serioze, me çakçirë të bardhë të qendisur lehtë ne fund tek këpucët dhe xhepat,me brez më të shkurtë se të grave,me jelek  vishnje ose xhurdi të bardhë, ku dominojne thakët dhe tegelat e zez dhe kësula e bardhë. Më të bukura se të gjitha janë këngët dhe vallet zadrimore që shquhen për melodi të larmishme, të ëmbël ,optimiste dhe të shtruar.

Shkurt  Zadrima është vendi  ku kemi  lindur dhe jemi rritur, kemi  ëndërruar dhe realizuar; i jemi gëzuar natyrës se  saj të bukur ,ku Zoti ka thurur me aq shume persosmëri, si  në parajsë,një tokë  aq të begatë, nje qiell aq të qartë, një kornizë  vargmalesh  ku  gjelbëriimi ,gria dhe kaltërsia shkrihen në krahët e njera tjetrës .Aty , si Aorta, rrjedhin  nëpër trupin e saj të  bukur dy lumej qe bashkohen tek zemra e saj e vrapojne të çojne ne detë ujin  e kristaltë e aq të kulluar.

Ta mbajme të pastër ,ta veshim bukur Zadimen tonë, që nga zemra e saj të rrjedhë gjithmonë vetem jetë, melodi ,dashuri  dhe mirënjohje per banorët e saj te mirë.